Secondary Adv

Frika nga lufta dhe sulmet kibernetike rrit cash-in, 1.6 trilionë euro në qarkullim në Europë

Vlera e kartëmonedhave euro në qarkullim ka arritur në 1.6 trilionë euro, ndërsa frika nga luftërat, sulmet kibernetike dhe blackout-et po shtyn europianët të mbajnë më shumë para cash në shtëpi.

Europianët po i rikthehen parave cash dhe po mbajnë gjithnjë e më shumë kartëmonedha në shtëpi. Në një kohë kur pagesat me kartë, telefon apo orë inteligjente janë bërë pjesë e përditshmërisë, ky zhvillim mund të duket paradoksal, por sipas Bankës Qendrore Europiane (BQE), frika nga luftërat, sulmet kibernetike, ndërprerjet masive të energjisë, zjarret, përmbytjet dhe ngjarje të tjera që mund të paralizojnë sistemet elektronike të pagesave po i shtyn familjet ta shohin paranë fizike si një “rrjet sigurie”.


Sipas të dhënave të BQE-së, të cituara nga The Guardian, vlera e kartëmonedhave euro në qarkullim është rritur nga rreth 1 trilion euro në vitin 2016 në 1.6 trilionë euro në qershor 2026. Në qarkullim ndodhen mbi 31 miliardë kartëmonedha, ndërsa para pandemisë ishin rreth 24 miliardë.


“Paradoksi i kartëmonedhave”

Banka Qendrore Europiane e përshkruan këtë fenomen si “paradoksi i kartëmonedhave”. Nga njëra anë, paratë cash përdoren gjithnjë e më pak për blerjet e përditshme, ndërsa nga ana tjetër qytetarët vazhdojnë t'i mbajnë pranë vetes si rezervë për raste emergjente.


Të dhënat e BQE-së tregojnë se nga viti 2019 deri në vitin 2024, pesha e pagesave me para fizike në dyqane ra nga 72% në 52% sipas numrit të transaksioneve. Edhe sipas vlerës së transaksioneve pati rënie, nga 47% në 39%.


Megjithatë, 62% e banorëve të Eurozonës deklarojnë se është “shumë” ose “mjaft” e rëndësishme që të ekzistojë mundësia për të paguar me para cash. Sipas BQE-së, kartëmonedhat janë si goma rezervë e një makine: mund të mos përdoren çdo ditë, por kur sistemi kryesor dështon, bëhen të domosdoshme.


Disa vende rekomandojnë para cash në shtëpi

Holanda, Austria dhe Finlanda këshillojnë që çdo familje të mbajë rreth 70 deri në 100 euro për person, ose një shumë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet bazë për të paktën 72 orë. Në Finlandë po shqyrtohet gjithashtu krijimi i bankomateve që do të mund të funksionojnë edhe në rast të ndërprerjeve të mëdha të sistemeve dixhitale.


Këto rekomandime janë pjesë e strategjisë europiane të përgatitjes për emergjenca, sipas së cilës familjet duhet të jenë në gjendje të përballojnë tri ditë pa ndihmë të jashtme. Përveç ujit, ushqimeve, ilaçeve dhe një radioje me bateri, në listën e mjeteve të domosdoshme përfshihen edhe paratë cash.


Blackout-i në Spanjë ndryshoi sjelljen e qytetarëve

Rëndësia e një rezerve me para fizike u pa gjatë ndërprerjes masive të energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali në prill 2025. Blackout-i preku më shumë se 50 milionë njerëz dhe nxori jashtë funksionit terminalet POS, bankomatet, aplikacionet bankare dhe shërbimet e transfertave.


Sipas të dhënave të CaixaBank Research, konsumi total ra me 34% ditën e ndërprerjes, ndërsa pagesat me kartë në dyqanet fizike ranë me 42%. Blerjet online pësuan një rënie prej 54%, ndërsa tërheqjet e parave nga bankomatet ranë me 34%, kryesisht sepse shumë ATM nuk funksiononin.


Sapo energjia elektrike u rikthye, qytetarët nxituan të tërhiqnin para jo vetëm për të zëvendësuar ato që kishin shpenzuar, por edhe për të krijuar një rezervë të re për raste të ngjashme. Edhe para blackout-it, 39% e spanjollëve deklaronin se mbanin para në shtëpi si masë paraprake.


Pandemia dhe lufta në Ukrainë shtuan kërkesën për kartëmonedha

Fenomeni nuk nisi me blackout-in. Gjatë pandemisë së COVID-19, ndonëse pagesat pa kontakt u përhapën me shpejtësi, emetimi neto i kartëmonedhave në Eurozonë u rrit me më shumë se 140 miliardë euro vetëm gjatë vitit 2020. Njerëzit përdornin më pak cash për blerje, por donin ta kishin pranë për çdo rast.


E njëjta sjellje u vu re edhe pas pushtimit rus të Ukrainës. Në Estoni, Letoni, Lituani, Sllovaki dhe Finlandë, kërkesa për kartëmonedha u rrit ndjeshëm, pavarësisht se këto janë ndër vendet më të dixhitalizuara në Europë.


Një tjetër shembull është Greqia gjatë krizës së borxhit në vitin 2015. Në kulmin e krizës financiare, qytetarët nxituan të tërhiqnin kursimet nga bankat. Vetëm në qershor të atij viti, emetimi neto i kartëmonedhave iu afrua 5 miliardë eurove, ndërsa pas një takimi të Eurogrupit që përfundoi pa marrëveshje, tërheqjet në një ditë të vetme kaluan 300 milionë euro.


Sipas vlerësimeve të BQE-së, përshkallëzimi i krizës krijoi një kërkesë shtesë për rreth 11.2 miliardë euro kartëmonedha brenda gjashtë muajve.


Cash-i mbetet i rëndësishëm edhe për arsye sociale

Përtej emergjencave, Banka Qendrore Europiane thekson se paratë cash vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm social. Ato u japin mundësi të marrin pjesë në jetën ekonomike njerëzve që nuk kanë llogari bankare, smartphone apo aftësi dixhitale.


Për të moshuarit, banorët e zonave të largëta, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me të ardhura të ulëta, pagesat me para fizike mbeten një domosdoshmëri dhe jo thjesht një zgjedhje.


Sipas BQE-së, në një Europë gjithnjë e më dixhitale, kartëmonedhat nuk po rikthehen si simbol i së shkuarës. Ato po mbeten një garanci për përfshirjen sociale, privatësinë, lirinë e zgjedhjes dhe sigurinë në rast se sistemet elektronike të pagesave ndalojnë së funksionuari.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat